Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka pezulluar vendosjen e mbi 4 mijë ushtarëve amerikanë në Evropë, një vendim që sipas mediave ndërkombëtare ka befasuar një pjesë të zyrtarëve ushtarakë amerikanë.
Sipas raportimeve të “Wall Street Journal”, vendimi është komunikuar gjatë një takimi mes Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane (EUCOM) dhe strukturave të tjera të ushtrisë amerikane.
Trupat amerikane ishte planifikuar të vendoseshin në Poloni në kuadër të një rotacioni nëntëmujor, ndërsa ushtria amerikane kishte njoftuar më herët se brigada do të zëvendësonte forcat aktuale si pjesë e rotacioneve rutinore.
Raportohet se një pjesë e pajisjeve dhe personelit ndodheshin tashmë në lëvizje drejt Evropës, çka ka shkaktuar befasi te disa zyrtarë ushtarakë pas vendimit të fundit të Pentagonit.
Sipas mediave amerikane, Komanda Evropiane kishte rekomanduar që pas përfundimit të misionit aktual të mos bëhej zëvendësimi i trupave, por nuk kishte kërkuar anulim të menjëhershëm të operacionit.
Trupat pritej të angazhoheshin kryesisht në Poloni në kuadër të Operacionit “Atlantic Resolve”, një mision i nisur nga SHBA-ja në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, me qëllim mbështetjen e aleatëve të NATO-s në Evropë.
Ky zhvillim vjen vetëm pak javë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, urdhëroi tërheqjen e rreth 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania.
Ndërkohë, Polonia ka shprehur gatishmërinë për të pritur më shumë forca amerikane. Presidenti polak Karol Nawrocki deklaroi se aktualisht rreth 10 mijë trupa amerikane janë të stacionuara në vend, shumica prej të cilave lëvizin rregullisht ndërmjet bazave ushtarake amerikane në Evropë.
KAQPATA


