Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, manipulim me prova, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe dhënie ryshfeti në procesin e pajisjes me patentë shoferë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza prej 391 faqesh përfshin zyrtarë të Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, ekzaminues, pyetës teorikë dhe përfaqësues të auto-shkollave, të cilët dyshohet se kanë mundësuar në mënyrë të kundërligjshme kalimin e kandidatëve në provimet teorike dhe praktike.

I dyshuari kryesor, A.Sh., në cilësinë e koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, akuzohet se nga viti 2021 deri më 23 korrik 2024 nuk ka zbatuar ligjin dhe udhëzimet administrative për organizimin e provimeve, duke lejuar testime të kandidatëve jashtë listave zyrtare dhe pa koordinim me institucionet përgjegjëse.

Sipas aktakuzës, i dyshuari R.S. ka ndërmjetësuar dhënien e ryshfetit nga përfaqësues të auto-shkollave, me shuma që varionin nga 300 deri në 1 mijë euro, për t’u siguruar kandidatëve kalimin në teste.

Prokuroria dyshon se A.Sh., T.Sh. dhe R.S. kanë bashkëpunuar edhe në manipulim të provave, ndërsa pyetëset teorike T.Sh. dhe M.S. akuzohen se kanë ndihmuar kandidatët gjatë testimeve dhe kanë lejuar pjesëmarrjen e tyre edhe pa dokumentacion të plotë.

Në aktakuzë përfshihet edhe L.G., zyrtar administrativ, i cili dyshohet se ka lejuar regjistrime të parregullta dhe ka mbajtur dosje të kandidatëve jashtë institucionit.

Ndërkohë, ekzaminuesit praktikë B.K. dhe N.D. dyshohet se kanë organizuar testime jashtë orarit zyrtar dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.

Prokuroria thekson se këto veprime u kanë krijuar avantazh të padrejtë disa auto-shkollave në treg, duke rritur numrin e kandidatëve të regjistruar krahasuar me konkurrencën.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaroi se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe çdo forme të kriminalitetit që cenon sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *