Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar diskutime në Tokio të Japonisë lidhur me sfidat e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit.
Sveçla ka marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komuniteteve (GCERF), ku ka kontribuar në diskutimet për sfidat aktuale dhe angazhimet e përbashkëta në këtë fushë.
Gjatë vizitës zyrtare në Japoni, ministri, i cili është edhe anëtar i Bordit të GCERF-së, ka prezantuar progresin dhe rezultatet e arritura nga Kosova në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në fokus të prezantimit kanë qenë kapacitetet e institucioneve të sigurisë, zhvillimi i arkitekturës institucionale sipas modelit evropian dhe forcimi i mekanizmave parandalues.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe proceseve të kthimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të qytetarëve që janë kthyer nga zonat e konfliktit.
Me këtë rast, Sveçla ka vlerësuar se Kosova përbën një shembull për rajonin dhe më gjerë në menaxhimin e këtyre proceseve.
“Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimi i terrorizmit janë investim i drejtpërdrejtë në sigurinë dhe të ardhmen e shoqërisë sonë”, ka deklaruar Sveçla.
Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohje për partneritetin dhe mbështetjen e GCERF-së ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë organizatë si një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira ndërkombëtare.
Në përfundim të takimit, ministri ka riafirmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, me synim parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ndërtimin e komuniteteve më të sigurta e më të qëndrueshme.
KAQPATA

