Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Hajredin Kuçit dhe Isni Kilajt në rastin që lidhet me pengimin e drejtësisë dhe ndërhyrjen në procesin gjyqësor për krime lufte. Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, ndërsa dy të bashkakuzuar janë liruar pasi kanë vuajtur dënimet gjatë paraburgimit.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës Speciale, vendimi është shpallur më 17 nëntor 2026 dhe lidhet me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik.
Çështja kishte të bënte me pretendimet se gjatë vitit 2023, kur Hashim Thaçi ndodhej në paraburgim, ai kishte zbuluar informacione konfidenciale për dëshmitarë dhe kishte përcjellë udhëzime për mënyrën se si ata duhej të dëshmonin në procesin gjyqësor për krime lufte.
Thaçi dënohet me 17 muaj burgim
Gjykatësi i vetëm e shpalli Hashim Thaçin fajtor për tri vepra penale:
- Tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
- Shkelje të fshehtësisë së procedurës.
- Mosbindje ndaj gjykatës.
Për këto vepra, Thaçi u dënua me 17 muaj burgim, të cilat do të kryhen veçmas nga çdo dënim tjetër që mund t’i shqiptohet në rastin e gjykimit për krime lufte.
Dënimet për katër të bashkakuzuarit
Gjykata shpalli vendime të ndryshme edhe për personat e tjerë të përfshirë në këtë proces.
Bashkim Smakaj u shpall fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës. Ai u dënua me 12 muaj burgim, por dënimi u konsiderua i vuajtur për shkak të kohës së kaluar në paraburgim dhe ai u lirua.
Fadil Fazliu u shpall fajtor për të njëjtat vepra penale dhe u dënua me 12 muaj burgim. Edhe në rastin e tij, Gjykata e konsideroi dënimin të vuajtur dhe vendosi lirimin e tij.
Hajredin Kuçi u shpall fajtor për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës. Ai u dënua me një muaj burgim me kusht, i cili do të konsiderohet i kryer nëse brenda një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale sipas Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkaq, Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat kundër tij.
Çfarë konstatoi Gjykata Speciale?
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata përshkroi disa raste të komunikimeve që pretendohet se janë zhvilluar përmes vizitorëve të Thaçit në objektin e paraburgimit.
Sipas aktgjykimit, më 2 korrik 2023, gjatë një vizite të Fadil Fazliut, Thaçi i kishte dhënë atij udhëzime për t’ia përcjellë dëshmitarit Rrustem Mustafa lidhur me dëshminë e ardhshme.
Një ditë më pas, Fazliu ishte takuar me dëshmitarin dhe ia kishte përcjellë udhëzimet, përfshirë këshillën që të mohonte komunikimet me Thaçin nëse pyetej nga Prokuroria.
Ndërsa në rastin e Bashkim Smakajt, Gjykata konstatoi se gjatë një vizite më 7 tetor 2023, Thaçi i kishte dhënë udhëzime lidhur me dëshminë e Bislim Zyrapit. Sipas vendimit, prova digjitale dhe dokumentet e sekuestruara mbështetën konstatimet e gjykatës.
Sa i përket Isni Kilajt, gjykatësi konstatoi se nuk kishte prova që ai i kishte përcjellë udhëzimet te dëshmitari apo se kishte marrë pjesë në veprimin e përbashkët të pretenduar. Për këtë arsye, ai u shpall i pafajshëm.
Në rastin e Hajredin Kuçit, Gjykata konstatoi se ai i kishte dërguar një mesazh Rrustem Mustafës, duke shkelur urdhrin për ndalimin e kontakteve me dëshmitarët e Prokurorisë.
Vendimi i 17 nëntorit përbën një zhvillim të rëndësishëm në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
KAQPATA

