Një emër që lidhet me historinë e Kosovës, një grup shqiptarësh të bashkuar në Australi dhe një fushë futbolli ku rivaliteti merr kuptim tjetër. Bëhet fjalë për ekipin shqiptar “UÇK”, të formuar në Sydney, i cili po shënon suksese në futbollin australian.

Skuadra është krijuar nga shqiptarë me prejardhje nga trojet e ndryshme shqiptare, të cilët kanë gjetur te futbolli një mënyrë për t’u bashkuar, për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për ta përfaqësuar komunitetin shqiptar në Australi.

Si lindi ideja për krijimin e ekipit?

Për historinë e skuadrës ka folur për Telegrafin Leonora Toska, përfaqësuese e ekipit, e cila tregoi se iniciativa erdhi natyrshëm nga bashkimi i shqiptarëve që jetojnë në Australi.

Ajo shpjegoi se në ekip janë përfshirë shqiptarë nga treva të ndryshme, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“UÇK-ja është formuar nga disa shqiptarë që janë këtu në Australi. Normalisht, UÇK-ja është formuar nga shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare. Ashtu siç është formuar Ilirida, ashtu e kemi formuar edhe ne këtë ekip këtu”, u shpreh Toska.

Ajo tregoi se vetë është nga Struga, ndërsa trajneri dhe pjesëtarë të tjerë të stafit vijnë nga Shqipëria.

Sipas saj, emri “UÇK” u përzgjodh si simbol i lidhjes së fortë që shqiptarët e kanë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Nuk mungojnë as tensionet me ekipet serbe

Përveç sukseseve sportive, përfaqësuesja e ekipit ka rrëfyer edhe disa incidente që lidhen me rivalitetin dhe tensionet mes komuniteteve shqiptare dhe serbe në Australi.

Toska tregoi një rast që përfshinte djalin e saj, i cili luan në një ligë futbolli në Australi dhe kishte shënuar tri gola në një ndeshje kundër një ekipi serb.

Pas secilit gol, ai kishte festuar duke bërë simbolin e shqiponjës.

Sipas rrëfimit të saj, situata ishte tensionuar pas përfundimit të ndeshjes, kur disa prindër serbë e kishin pritur jashtë dhomës së zhveshjes.

“Edhe atë ditë ai i ka shënuar tre gola dhe në të tre golat e ka bërë shqiponjën. Në fund kemi pasur një rrëmujë të madhe, sepse edhe prindërit serbë e prisnin jashtë djalin tim që të dilte nga dhoma e ndërrimit”, tregoi ajo.

Toska shtoi se përveç incidenteve në fushë, ekipi është përballur edhe me komente dhe mesazhe urrejtjeje në Instagram dhe rrjete të tjera sociale.

Një emër që bashkon shqiptarët larg atdheut

Për komunitetin shqiptar në Australi, ekipi nuk përfaqëson vetëm një skuadër futbolli.

Ai është edhe një simbol i bashkimit të shqiptarëve nga treva të ndryshme, të cilët përmes sportit vazhdojnë të ruajnë lidhjen me prejardhjen dhe identitetin e tyre kombëtar.

Ndërsa në Kosovë emri UÇK lidhet me një kapitull të rëndësishëm të historisë së vendit, në Sydney ai është bërë emër i një skuadre që synon të shkruajë historinë e vet në fushën e futbollit.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *