Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër, në orën 09:00, në një seancë të jashtëzakonshme ku pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Seanca është caktuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Në kuadër të procedurave parlamentare, Komisioni për Legjislacion do të mblidhet nesër në orën 08:00 për të shqyrtuar projektligjin, pasi është ngarkuar me trajtimin e tij.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), synojnë ndryshimin e disa prej kompetencave dhe procedurave që lidhen me Gjykatën Speciale.

Ndër propozimet kryesore janë kufizimi i juridiksionit të Dhomave të Specializuara, mundësia që rastet jashtë këtij juridiksioni të trajtohen në Kosovë, e drejta e ankimit në Gjykatën Supreme, kufizimi i dënimit maksimal në 15 vjet si dhe vuajtja e dënimeve në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka vlerësuar më herët se nuk ka pengesa ligjore për nismën e PDK-së për ndryshimin e këtij ligji. Mendimi i Qeverisë i është përcjellë Kuvendit, ndërsa projektligji ende nuk është miratuar nga deputetët.

Çështja është rikthyer në fokus pas aktgjykimeve të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Të katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar në shkallë të parë me një total prej 81 vjetësh burgim, ndërsa kanë të drejtë ankese ndaj aktgjykimit.

Seanca e nesërme pritet të jetë një nga zhvillimet kryesore politike në Kuvend, në një kohë kur diskutimi për Ligjin për Specialen dhe çështjen e ish-krerëve të UÇK-së është rikthyer fuqishëm në skenën politike.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *