Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj televizioneve dhe radiove të licencuara që nuk i kanë shlyer obligimet financiare ndaj institucionit.

KPM ka bërë të ditur se, pas shqyrtimit të raporteve financiare, ka konstatuar se shuma e borxheve të papaguara nga të licencuarit është “jashtëzakonisht e lartë”.

Sipas KPM-së, afati shtesë prej dy muajsh, i cili u ishte dhënë mediave për të përmbushur obligimet financiare, tashmë është duke përfunduar.

Institucioni ka paralajmëruar se kjo periudhë përbën mundësinë e fundit për të licencuarit që t’i shlyejnë borxhet pa u përballur me masa të mëtejshme sanksionuese.

“Periudha shtesë është një mundësi e fundit për të gjithë të licencuarit që të përmbushin detyrimet e tyre pa kaluar në fazën e masave të mëtejshme sanksionuese”, thuhet në njoftimin e KPM-së.

Gjoba mund të arrijë dyfishin e obligimeve vjetore

KPM ka rikujtuar se tarifa vjetore për licencë duhet të paguhet e plotë deri më 30 qershor të çdo viti.

Për mospagesën në kohë, legjislacioni parasheh masa sanksionuese, ndërsa KPM ka bërë të qartë se nuk do të lejohet ri-programimi i borxheve apo pagesa me këste.

Kjo nënkupton se mediat që kanë detyrime ndaj KPM-së duhet t’i shlyejnë ato në tërësi brenda afatit të përcaktuar.

Për subjektet që nuk i përmbushin obligimet edhe pas skadimit të afatit, KPM ka paralajmëruar gjobë në vlerë sa dyfishi i obligimeve vjetore të të licencuarit ndaj këtij institucioni.

Paralajmërohet edhe pezullimi i licencave

KPM ka paralajmëruar se masat nuk përfundojnë vetëm me gjobat.

Në rast se mospërmbushja e obligimeve vazhdon, mund të ndërmerren edhe masa të tjera, përfshirë pezullimin apo marrjen e licencës, në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara me ligj.

KPM u ka bërë thirrje të gjithë të licencuarve që kanë borxhe të shfrytëzojnë ditët e mbetura për t’i shlyer detyrimet dhe për të shmangur masat e mëtejshme.

“Respektimi i kushteve të licencës është detyrim, jo çështje vullneti”, thekson KPM.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *