Nepali ka rifilluar operacionet e kërkim-shpëtimit pas përmirësimit të kushteve atmosferike, ndërsa autoritetet po kërkojnë afro 3 mijë persona të raportuar të zhdukur pas përmbytjeve katastrofike që kanë goditur vendin dhe Tibetin.
Të paktën 669 persona kanë humbur jetën në Nepal, ndërsa shtatë të tjerë në Tibet, pas një vërshimi masiv të shkaktuar nga një ortek shembjeje akulli dhe shkëmbinjsh në zonat malore.
Vërshimi transportoi sasi të mëdha shkëmbinjsh, akulli, balte dhe mbeturinash nëpër sistemet lumore, duke shkatërruar ndërtesa, ura, centrale elektrike dhe pjesë të rëndësishme të infrastrukturës.
Sipas autoriteteve, rreth 2,980 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, prej tyre rreth 2,426 në Nepal dhe 554 në qarkun Gyirong të Tibetit.
Në mesin e personave të zhdukur janë edhe të paktën 540 shtetas të huaj, shumë prej të cilëve besohet se janë pelegrinë hindu nga India.
Trupat e viktimave po identifikohen përmes ADN-së
Operacionet e kërkim-shpëtimit u ndërprenë përkohësisht për shkak të reshjeve dhe mjegullës, por u rifilluan gjatë së shtunës pasi kushtet atmosferike u përmirësuan.
Në disa zona të prekura rëndë, autoritetet kanë gjetur trupa që janë dekompozuar deri në atë pikë sa identifikimi i tyre është bërë i vështirë ose i pamundur.
Administrata e distriktit Chitwan ka njoftuar se do të merren mostra ADN-je për identifikimin e viktimave. Trupat që nuk mund të identifikohen do të varrosen pas përfundimit të procedurave ligjore, për shkak të rrezikut shëndetësor dhe frikës nga përhapja e sëmundjeve.
Ndërkohë, familjarë të personave të zhdukur janë mbledhur në Kathmandu, duke kërkuar informacion për të afërmit e tyre. Disa prej tyre janë përpjekur t’i identifikojnë viktimat përmes fotografive të vendosura në ambientet e institucioneve shëndetësore.
Nepali kërkon ndihmë ndërkombëtare
Autoritetet nepaleze kanë kërkuar ndihmë të specializuar nga jashtë, veçanërisht për operacionet e shpëtimit në tunele, identifikimin e viktimave, testet e ADN-së dhe rikthimin e komunikimit dhe transportit në zonat ku urat dhe rrugët janë shkatërruar.
Një ekip ekspertësh indianë për shpëtimin në tunele ka mbërritur në Nepal.
Edhe Kina ka dërguar ekspertë për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, ndërsa India ka dërguar disa fluturime me rreth 60 tonë ndihma humanitare, përfshirë ushqime, ilaçe dhe batanije.
India ka ofruar gjithashtu personel për reagim ndaj katastrofave, ura të parafabrikuara dhe ekipe teknike për të ndihmuar në rikthimin e lidhjeve të transportit.
Dëmet mund të arrijnë në 5 miliardë dollarë
Ministri i Financave i Nepalit, Swarnim Wagle, deklaroi për Reuters se vlerësimi fillestar i qeverisë tregon se vendit mund t’i nevojiten 4 deri në 5 miliardë dollarë për rindërtimin pas katastrofës.
Ai theksoi se kjo është vetëm një përllogaritje fillestare dhe se vlerësimi i plotë i dëmeve dhe humbjeve ende nuk ka përfunduar.
Ndërkohë, autoritetet po monitorojnë edhe liqenet e formuara pas katastrofës pranë kufirit Nepal-Kinë.
Rreziku nga njëri prej liqeneve është zvogëluar, pasi niveli i ujit ka nisur të bjerë dhe pjesë të shtratit të tij janë bërë të dukshme. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se rreziku nga përmbytjet do të vazhdojë derisa të dy liqenet të jenë zbrazur plotësisht.
Familjet presin ende lajme
Për të mbijetuarit, pas katastrofës nis një tjetër betejë: rindërtimi i jetës së tyre.
Saraswati Ghale, 43 vjeçe, tha se shtëpia e saj u shkatërrua plotësisht nga përmbytja.
Ajo tregoi se u detyrua të ngjitej me shpejtësi drejt një zone më të lartë për t’i shpëtuar ujit, ndërsa toka dridhej nga fuqia e vërshimit.
Katastrofa ka lënë pas një bilanc të rëndë njerëzor dhe dëme të mëdha në infrastrukturën e Nepalit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit dhe identifikimit të viktimave pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
KAQPATA


