Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka zhvilluar takime konsultative me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, si dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare.
Pas takimit me Bedri Hamzën, Kurti e cilësoi bisedën si konstruktive, por theksoi se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
Ai deklaroi se synimi mbetet konstituimi i institucioneve brenda afateve kushtetuese, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, krijimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit të ri.
Kurti bëri të ditur se konsultimet do të vazhdojnë edhe me subjektet e tjera politike, duke shprehur optimizëm se partitë kryesore do të arrijnë të sigurojnë funksionalizimin e legjislaturës së re.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit kërkon mbështetjen e 80 deputetëve dhe duhet të realizohet përmes bashkëpunimit ndërmjet partive politike.
Ai gjithashtu shprehu keqardhje që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk mori pjesë në takimet konsultative, duke vlerësuar se një dialog i tillë do të ishte në interes të procesit politik.
Hamza: PDK mbetet në opozitë
Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, konfirmoi se partia e tij do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati.
Ai tha se takimi me Kurtin u zhvillua në një atmosferë korrekte, ndërsa ritheksoi se PDK vazhdon të mbështesë projekte që lidhen me zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, energjinë dhe infrastrukturën.
Hamza nënvizoi se zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin me LVV-në dhe se partia fituese duhet të sigurojë partnerët e nevojshëm për formimin e institucioneve.
Abdixhiku: Dialogu do të vazhdojë
Në orët e pasdites, Kurti zhvilloi takim edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Pas takimit, Abdixhiku deklaroi se diskutimet janë përqendruar në stabilitetin institucional dhe nevojën për të shmangur zgjedhjet e reja.
Ai bëri të ditur se palët janë dakorduar që dialogu të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa theksoi se bisedimet janë fokusuar në parime dhe jo në emra konkretë për postet shtetërore.
Sipas tij, ende nuk është arritur konsensus, por vazhdimi i komunikimit është një sinjal pozitiv për procesin politik.
Kurti: Synimi është marrëveshja dhe shmangia e zgjedhjeve
Pas takimit me Abdixhikun, Kurti deklaroi se është ende herët për të vlerësuar rezultatin e bisedimeve.
Ai tha se gjatë takimit janë trajtuar të gjitha temat kryesore politike, përfshirë formimin e Qeverisë, konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit.
Kurti u shpreh optimist se racionaliteti po mbizotëron në dialogun ndërmjet partive politike dhe ritheksoi se objektivi i LVV-së mbetet arritja e një marrëveshjeje politike që do të shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Takimet konsultative pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa partitë politike kanë afate kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e institucioneve të reja të vendit.
KAQPATA


