Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur të rihapë shqyrtimin gjyqësor në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, duke shtyrë shpalljen e aktgjykimit ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët përballen me akuza për ngjarjen tragjike të ndodhur në vitin 2021.

Vendimi u mor në seancën e së premtes, në të cilën fillimisht ishte planifikuar shpallja e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tre të akuzuarit dyshohet se kanë organizuar dhe kryer sulmin në bashkëpunim, me motiv hakmarrjen. Objektiv i sulmit, sipas organit të akuzës, ishte shoferi i autobusit, i ndjeri Gani Gjokaj.

Prokuroria pretendon se familja Mehmetaj e konsideronte Gjokajn përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, duke e cilësuar këtë si motivin e krimit.

Në aktakuzë thuhet gjithashtu se Halil Mehmetaj ishte zotuar për hakmarrje ndaj Gjokajt dhe se gjatë ceremonisë së varrimit të vajzës së tij kishte vendosur orën e dorës në arkivolin e saj.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin vëzhguar paraprakisht zonën ku ndodhi sulmi, duke zgjedhur një lokacion pa kamera sigurie dhe larg zonave të banuara. Ata dyshohet se i kishin zënë pritë autobusit në linjën Gjakovë–Gllogjan.

Aktakuza pretendon se Kastriot Mehmetaj, i armatosur me një pushkë automatike AK-47, kishte dalë në rrugë duke u shtirur si i dehur, me qëllim që ta detyronte autobusin të ngadalësonte ose të ndalonte. Pasi automjeti uli shpejtësinë, ai dyshohet se hapi zjarr në drejtim të shoferit.

Si pasojë e sulmit humbën jetën shoferi Gani Gjokaj dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., ndërsa F.T. mbeti i plagosur rëndë.

Prokuroria pretendon më tej se pas sulmit, Kastriot Mehmetaj u largua drejt fshatit Shaptej, ku e priste me veturë Kreshnik Mehmetaj. Sipas aktakuzës, arma e përdorur në krim ishte shkatërruar pas kthimit në shtëpi.

Halil Mehmetaj akuzohet gjithashtu se, gjatë periudhës nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, kishte nxitur vazhdimisht Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn për vrasjen e Gani Gjokajt, duke e fajësuar atë për vetëvrasjen e vajzës së tij.

Me vendimin për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, procesi do të vazhdojë me seanca të tjera para se gjykata të marrë vendimin përfundimtar në këtë rast.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *