Mungesa e sundimit të ligjit në Serbi po u mundëson disa prej të akuzuarve për sulmin e armatosur në Banjskë të vazhdojnë aktivitetet e tyre afariste dhe të zgjerojnë pasurinë, vlerësojnë përfaqësues të opozitës dhe analistë në Serbi.
Sipas tyre, fakti që personat e akuzuar nuk janë përballur ende me drejtësinë ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e ligjit në Serbi.
Vlladimir Pajiq nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë deklaroi se autoritetet serbe ndodhen në një pozitë të vështirë, pasi personat e përfshirë në rastin e Banjskës vazhdojnë të qëndrojnë në Serbi dhe të ushtrojnë aktivitetet e tyre.
“Milan Radoiçiq ka qenë i mbrojtur prej vitesh, prandaj nuk është çudi që ky rast ende nuk ka marrë një epilog gjyqësor. Ne besojmë se Aleksandar Vuçiq dhe Partia Progresive Serbe mbajnë përgjegjësi, pasi refuzojnë të përballen me përgjegjësinë”, tha Pajiq.
Autoritetet në Beograd vazhdojnë të refuzojnë ekstradimin e të akuzuarve në Kosovë. Ndërkohë, Bashkimi Evropian e konsideron rastin e Banjskës një nga çështjet kryesore në raportet me Serbinë, ndërsa NATO, BE dhe vendet e Quint-it kanë kërkuar vazhdimisht hetim të plotë dhe ndjekje penale të përgjegjësve.
Sipas Pajiqit, sulmi në Banjskë ka dëmtuar ndjeshëm pozitën ndërkombëtare të Serbisë dhe ka ndikuar negativisht edhe te komuniteti serb në Kosovë.
“Ngjarjet në Banjskë kanë dobësuar pozitën negociuese të Serbisë dhe kanë shkaktuar dëm për komunitetin serb në Kosovë. Në të njëjtën kohë, strukturat kriminale vazhdojnë të ushtrojnë ndikim, ndërsa Serbia përballet me presion gjithnjë e më të madh nga Perëndimi”, u shpreh ai.
Edhe pas gati tre vitesh nga sulmi i armatosur në Banjskë, çështja e përgjegjësisë mbetet e pazgjidhur. Partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të kërkojnë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, ndërsa rasti konsiderohet një test i rëndësishëm për sundimin e ligjit dhe për rrugën evropiane të Serbisë.
Burimi: RTK
KAQPATA


