Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se gjatë inspektimit të zhvilluar në një subjekt për përpunimin e qumështit janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi, megjithatë nuk është marrë vendim për mbylljen e tij.
Sipas AUV-së, inspektimi i jashtëzakonshëm është kryer me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së aktivitetit të operatorit me kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Gjatë kontrollit, inspektorët kanë marrë mostra të qumështit UHT me afat të gjatë përdorimi, qumështit pluhur dhe vajit të palmës, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike.
AUV bën të ditur se kontrolli ka përfshirë verifikimin e dokumentacionit, inspektimin fizik të objektit dhe linjave të prodhimit.
Sipas gjetjeve paraprake, subjekti ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, por në objekt janë identifikuar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, ku përdoren përbërës si qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse.
Po ashtu, është konstatuar se subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, proteina qumështi, hirrë dhe vaj palme.
AUV thekson se në këtë fazë nuk është marrë asnjë vendim për mbylljen e subjektit.
“Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas rezultateve laboratorike”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të procedurës, subjektit i është kërkuar të respektojë dhe zbatojë kërkesat ligjore në fuqi, përfshirë udhëzimet për prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore.
AUV ka theksuar se mbrojtja e shëndetit publik dhe siguria ushqimore mbeten prioritet institucional, ndërsa çdo veprim i mëtejshëm do të varet nga rezultatet laboratorike dhe vlerësimet përfundimtare.
KAQPATA


