Qumështorja “Vita” ka ndërprerë punën për shtatë ditë, pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kreu një inspektim të paparalajmëruar dhe mori vendim për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit të saj.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Artan Spahija, deklaroi se inspektimi është zhvilluar më 2 korrik 2026 dhe se fabrika do të mbetet e mbyllur deri në publikimin e rezultateve të analizave.
“Sot e mbyllim fabrikën deri në njoftimin e radhës. Vendimi është që të mbyllet derisa të dalin rezultatet. Ne i kemi të gjitha analizat dhe kontrollet e nevojshme. Fermerëve u kërkojmë falje, por ministri në detyrë është ai që po ju mbyll dhe po ju falimenton. Shpresojmë të rikthehemi pas shtatë ditësh. Nga sot, qumështorja ‘Vita’ nuk punon dhe nuk pranon qumësht”, tha Spahija.
Akuza ndaj Qeverisë
Pas vendimit për mbylljen e përkohshme të fabrikës, Spahija iu drejtua edhe punëtorëve të kompanisë, duke hedhur akuza ndaj institucioneve.
Ai pretendoi se autoritetet po favorizojnë importin e qumështit nga Serbia përmes Maqedonisë së Veriut, në dëm të prodhuesve vendorë.
“Ministri e do më shumë qumështin që vjen nga Serbia sesa qumështin e ‘Vitës’. Ne nuk jemi kriminelë dhe nuk do të dorëzohemi. Ata mund të vazhdojnë procedurat e tyre, por ne nuk do t’ju lëmë vetëm”, u shpreh ai.
Premtim për punëtorët
Spahija siguroi punëtorët se kompania do të vazhdojë aktivitetin në sektorë të tjerë dhe se pagat e tyre nuk do të preken.
“Ne kemi prodhime të tjera dhe do të vazhdojmë punën. Nuk ka mundur as Serbia të na ndalë. Mos u shqetësoni, pagat do t’i merrni dhe ne nuk dorëzohemi”, deklaroi ai.
Inspektimi i AUV-së
Sipas raportimeve, gjatë ditës ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka urdhëruar një inspektim të paparalajmëruar në qumështoren “Vita”, ku morën pjesë 25 inspektorë.
Zyrtari i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Eroll Shehu, ka konfirmuar se urdhri për inspektim ka ardhur nga ministri.
Sipas AUV-së, arsyeja e ndërhyrjes lidhet me uljen e sasisë së prodhimit të qumështit nga 1 korriku për shkak të mungesës së tregut. Ndërkohë, zyrtarët nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi procedurat që do të pasojnë.
KAQPATA


