Katër persona kanë mbetur të plagosur pas një përleshjeje me armë zjarri që ndodhi të enjten në Podujevë. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se në mesin e të përfshirëve janë dajë e nip, ndërsa motivi i dyshuar lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme familjare.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë, ku sipas autoriteteve, tre persona janë përfshirë në një konflikt të armatosur.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se, bazuar në të dhënat fillestare të hetimeve, nga të shtënat me armë zjarri kanë mbetur të plagosur tre personat e përfshirë në konflikt, si dhe një kalimtar i rastit.
Sipas hetimeve paraprake, personat e përfshirë kanë lidhje familjare, konkretisht bëhet fjalë për dajë dhe nip. Dyshohet se konflikti ka shpërthyer si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit nga Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, i cili së bashku me njësitet policore ka nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Prokuroria bëri të ditur se personat e përfshirë dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, sipas nenit 173, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të katër të plagosurit janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar në koordinim mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.
KAQPATA


