Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me procesin e rilicencimit të kompanisë Energy Financing Team (EFT), duke kërkuar sqarime nga institucionet dhe duke drejtuar kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ngriti pyetjen se pse kompania e biznesmenit serb Vuk Hamoviq po figuron në proces të rilicencimit për të vazhduar operimin në Kosovë.
“Kush është tash lideri shqiptar këtu, kur kompania e Vuk Hamoviq është në proces të rilicencimit?!”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së rikujtoi edhe deklaratat e mëhershme të Albin Kurtit lidhur me EFT-në.
“EFT-ja duhet të marrë fund, thoshte Albin Kurti; nuk mund t’i themi vetes shqiptarë kur vazhdon të na dominojë EFT-ja”, citoi Ymeri.
Sipas saj, ndikimi i këtij grupi nuk ka përfunduar dhe, siç pretendon ajo, vazhdon të ketë ndikim edhe në çështjet që lidhen me sektorin energjetik dhe investimet.
Në postimin e saj, Ymeri publikoi edhe një dokument ku kompania Energy Financing Team L.L.C. figuron si subjekt “në proces të licencimit”, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente që të japin sqarime publike për këtë proces.
Deri më tani, institucionet përgjegjëse nuk kanë reaguar ndaj pretendimeve të ngritura nga deputetja e zgjedhur e LDK-së.
KAQPATA


