Dy zyrtarë policorë janë përfshirë në një përleshje fizike brenda një stacioni policor në Prishtinë, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tyre nga detyra.

Sipas IPK-së, incidenti ka ndodhur gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare brenda objektit të Stacionit Policor “Jugu” në Prishtinë, ku dy policët dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje janë përfshirë në konflikt fizik.

Në një përgjigje zyrtare, IPK ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve po zhvillohen hetime për veprën penale “Sulm”.

“Nga veprimet fillestare hetimore të ndërmarra nga Inspektorati Policor i Kosovës ekziston dyshimi se dy zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin dhe të njëjtit dyshohen për veprën penale ‘Sulm’”, thuhet në njoftim.

IPK bëri të ditur se hetuesit janë në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe se rasti do të trajtohet sipas procedurave të rregullta ligjore.

Ndërkohë, institucioni mbikëqyrës ka rekomanduar suspendimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast.

IPK theksoi se çdo veprim i zyrtarëve policorë që cenon integritetin institucional ose dëmton profesionalizmin e Policisë së Kosovës do të trajtohet me seriozitet maksimal.

Ky incident ka ngjallur reagime për shkak se ka ndodhur brenda ambienteve zyrtare policore dhe gjatë orarit të punës së zyrtarëve të përfshirë.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *