Pas kërkesës drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke kërkuar trajtimin pa vonesa të dorëheqjeve të prokurorëve serbë të paraqitura në vitin 2022.
Në letrën e dërguar më 19 qershor 2026 kryesuesit të KPK-së, Arian Gashi, Haxhiu ka shprehur shqetësimin për mungesën e vendimeve lidhur me dorëheqjet që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura pas disa vitesh.
Sipas saj, zvarritja e procedurave administrative dhe disiplinore po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e rregullt të sistemit të drejtësisë dhe po krijon pasiguri juridike.
“Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, thuhet në letrën e saj.

Haxhiu ka theksuar se KPK-ja dhe KGJK-ja duhet të veprojnë në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, duke përmbyllur procedurat e mbetura pezull dhe duke garantuar funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
Ajo ka rikujtuar gjithashtu se praktika institucionale në raste të ngjashme ka treguar se dorëheqjet duhet të trajtohen pa vonesa dhe të mos mbahen të hapura për periudha të gjata kohore.
Kërkesa e Haxhiut vjen në vazhdën e përpjekjeve për të adresuar çështjet e mbetura nga dorëheqjet kolektive të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në veri të Kosovës gjatë vitit 2022.
KAQPATA


