Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Qeverisë së Kosovës për projektin rajonal të gazit amerikan, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të mbetet jashtë një iniciative strategjike me rëndësi ekonomike dhe gjeopolitike.
Përmes një postimi publik, Hoti tha se refuzimi i projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG), me prejardhje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po vazhdon pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga administrata amerikane që Kosova të bëhet pjesë e projektit rajonal energjetik.
Sipas tij, Kosova rrezikon të mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk do të përfshihet në këtë projekt, duke humbur një mundësi të rëndësishme për diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcimin e sigurisë energjetike.
Hoti theksoi se projekti buron nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e cila sipas tij ishte kundërshtuar ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe eksponentë të saj politikë.
“Refuzimi i projektit nuk mund të arsyetohet mbi baza ekonomike, pasi ai është plotësisht komplementar me strategjitë energjetike të Kosovës dhe ofron përfitime të mëdha për sigurinë energjetike të vendit”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka argumentuar se mungesa e diversifikimit energjetik ka kushtuar shtrenjtë për qytetarët dhe bizneset kosovare, duke përmendur qindra miliona euro të shpenzuara për import të energjisë elektrike gjatë viteve të fundit.
Sipas ish-kryeministrit, rëndësia e projektit nuk është vetëm ekonomike, por edhe gjeopolitike, pasi sipas deklarimeve të palës amerikane, ai synon të reduktojë ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe të forcojë aleancën euroatlantike në rajon.
Në fund, Hoti u ka bërë thirrje odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe qytetarëve që të organizohen në një protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
KAQPATA


