Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Misetic, ka reaguar ndaj Gjykatës Speciale në Hagë pas deklarimeve të kësaj të fundit lidhur me standardet e gjykimit të drejtë në proceset gjyqësore.

Përmes një postimi në Facebook, Misetic ka pretenduar se Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka refuzuar të gjitha ankesat e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas tij, deri tani janë paraqitur 37 ankesa të ndërmjetme nga të akuzuarit në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, por asnjëra prej tyre nuk është pranuar nga Apeli.

“Konteksti duhet të merret parasysh gjatë vlerësimit të efektivitetit të së drejtës për ankim lidhur me shkeljet e standardeve të gjykimit të drejtë. Të akuzuarit në rastin e krimeve të luftës Thaçi et al. kanë iniciuar 37 ankesa të ndërmjetme dhe secila prej tyre është refuzuar nga Paneli i Apelit”, ka shkruar Misetic.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, ka theksuar se institucioni garanton gjykim të drejtë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Sipas tij, të pandehurit kanë mundësi të përdorin mekanizma të ndryshëm juridikë për ankesë dhe mbrojtje të të drejtave të tyre, përfshirë apelimin në panele të pavarura gjyqtarësh dhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kur konsiderohet e nevojshme.

Gjykata ka shtuar se në disa raste, të akuzuarit kanë pasur sukses në përdorimin e këtyre mjeteve juridike, duke theksuar se sistemi i saj është i ndërtuar mbi standarde të njohura ndërkombëtare të drejtësisë.

Debati vjen në një periudhë kur proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë vazhdojnë të jenë në fokus të opinionit publik në Kosovë dhe më gjerë.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *