Debati rreth formimit të institucioneve të reja të Kosovës po vazhdon pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë është kërkuar që procesi të përfundojë brenda afateve dhe me institucione që do të kenë mandat të plotë.

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, hapi i parë do të jetë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, në skenën politike po zhvillohet debat nëse fillimisht duhet të formohet Qeveria apo të zgjidhet Presidenti i vendit.

Zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Catalina Heine, ka deklaruar se Berlini pret që institucionet e reja të krijohen sa më shpejt dhe të sigurojnë stabilitet afatgjatë.

“Shpresojmë që institucionet e reja të formohen në kohën e duhur dhe për një mandat të plotë, në mënyrë që të mund të vazhdojmë punën në axhendën tonë të përbashkët evropiane me Kosovën”, ka thënë Heine.

Çështja e renditjes së hapave për formimin e institucioneve ka nxitur qëndrime të ndryshme. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vlerëson se pas konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdohet menjëherë me zgjedhjen e Presidentit.

Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka theksuar se prioritet duhet të jetë funksionalizimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, duke e renditur më pas zgjedhjen e Presidentit.

Sipas rezultateve aktuale zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate në Kuvendin e Kosovës, ndërsa PDK ka fituar 22 mandate dhe LDK 18 mandate.

Nëse zgjidhet Qeveria, por dështon procesi për zgjedhjen e Presidentit, Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja. Për këtë arsye, vëmendja e skenës politike mbetet te mundësia e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet partive parlamentare për krijimin e institucioneve të reja dhe shmangien e një krize të re politike.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *