Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, si pjesë e një procesi më të gjerë rishikimi të pranisë ushtarake të Aleancës në rajon.

Një zyrtar i Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM) ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se vendimi vjen pas rishikimit vjetor të udhëhequr nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), e cila ka rekomanduar “përshtatje” të trupave në terren.

Sipas tij, NATO do të “optimizojë pozicionimin” e forcave të KFOR-it, ndërsa SHBA do të bëjë një përshtatje graduale dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut të kontributit të saj në mision.

Megjithatë, nga EUCOM theksohet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta konsiderojnë KFOR-in si një element kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, pa dhënë detaje për përmasën e ndryshimeve të mundshme.

Javën e kaluar, edhe NATO njoftoi se do të reduktojë gradualisht praninë e saj në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, duke e arsyetuar këtë me përmirësimin e përgjithshëm të situatës së sigurisë.

Aktualisht, misioni i KFOR-it përbëhet nga mbi 4.600 trupa nga 31 vende, ndërsa SHBA ka rreth 590 ushtarë të dislokuar në kuadër të këtij misioni.

Që nga viti 1999, kur KFOR u vendos në Kosovë pas përfundimit të luftës, prania amerikane ka pësuar ulje të ndjeshme, nga mbi 5.000 trupa në atë kohë.

SHBA gjithashtu mban bazën ushtarake “Bondsteel” në Ferizaj, e cila konsiderohet si një nga më të mëdhatë në rajon.

Debati për rishikimin e pranisë amerikane në Evropë dhe në Kosovë është intensifikuar muajt e fundit, ndërsa disa zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar nevojën për rishpërndarje të forcave në varësi të prioriteteve globale dhe kërcënimeve të sigurisë.

Megjithatë, zyrtarë të Pentagonit kanë konfirmuar më herët se nuk ka ndryshime të menjëhershme në dislokimin aktual të forcave amerikane në Kosovë.

Ekspertë të sigurisë vlerësojnë se çdo reduktim i pranisë amerikane në KFOR mund të ketë ndikim në stabilitetin rajonal, duke e cilësuar SHBA-në si faktor kyç në parandalimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe në raportet Kosovë–Serbi.

Sipas tyre, ruajtja e nivelit aktual të trupave amerikane mbetet e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në vend.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *