Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se pas përfundimit të procesit të numërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore, prioritet i institucioneve do të jetë konstituimi i legjislaturës së re dhe formimi i institucioneve të vendit.

Në një prononcim për media, Kurti tha se fillimisht duhet të përmbyllet i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë shqyrtimin e mundshëm të ankesave, përpara se të nisin hapat për konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera.

“Po përmbyllet procesi i numërimit të të gjitha votave. Pas certifikimit të rezultateve, ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e ardhshme, që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Sa më shpejt, aq më mirë”, deklaroi Kurti.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së ardhshme, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se kjo çështje nuk mund të zgjidhet vetëm nga partia e tij, pasi sipas tij nevojitet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve në seancë për të siguruar kuorumin e nevojshëm.

Kurti përmendi edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se ka pasur interpretime të shumta kritike për këtë vendim.

“Ne ndodhemi në këtë rrethanë dhe na duhet bashkëpunimi me opozitën. Do të përpiqemi të kemi sa më shumë bashkëpunim për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes”, tha ai.

Sa i përket ngërçit politik dhe bashkëpunimit ndërpartiak, Kurti u shpreh se nga ana e LVV-së nuk kanë munguar ofertat për bashkëpunim në të kaluarën.

Ai kujtoi se partia e tij kishte ofruar mundësi bashkëqeverisjeje për partitë opozitare, por sipas tij ato oferta ishin refuzuar.

“Qasja jonë është konstruktive, kreative dhe aktive. Shpresojmë që kësaj radhe të ketë një qasje tjetër nga opozita. Edhe më herët kemi ofruar bashkëqeverisje, por ato oferta janë refuzuar”, deklaroi Kurti.

Deklaratat e kryeministrit në detyrë vijnë në një moment kur vendi po pret certifikimin përfundimtar të rezultateve zgjedhore dhe nisjen e procedurave për formimin e institucioneve të reja shtetërore.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *