Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje historike me Iranin, duke pretenduar se konflikti mes dy vendeve ka marrë fund dhe se trupat amerikane do të nisin kthimin në atdhe.

Gjatë një tubimi virtual në mbështetje të kandidatit për Senat, Barry Moore, Trump tha se negociatat me Teheranin janë përmbyllur me sukses dhe se Irani ka pranuar zyrtarisht të mos zotërojë kurrë armë bërthamore.

“Nuk e di nëse keni dëgjuar, por sot i dhamë fund luftës me Iranin. Ata ranë dakord që të mos kenë kurrë armë bërthamore. Njerëzit tanë do të fillojnë të kthehen në shtëpi shumë shpejt”, deklaroi Trump.

Sipas presidentit amerikan, marrëveshja përfshin jo vetëm ndalimin e zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani, por edhe ndalimin e blerjes së tyre në të ardhmen.

Trump theksoi se administrata e tij ka arritur të sigurojë të gjitha kërkesat kryesore të Uashingtonit gjatë negociatave me Teheranin.

Ai njoftoi gjithashtu se nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes mund të zhvillohet gjatë fundjavës në Evropë, ku SHBA-ja pritet të përfaqësohet nga zëvendëspresidenti JD Vance.

Një nga përfitimet kryesore të marrëveshjes, sipas Trumpit, do të jetë edhe rihapja e Ngushtica e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës dhe transportin ndërkombëtar.

Megjithatë, pavarësisht deklaratave optimiste nga Uashingtoni, autoritetet iraniane ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare apo pranimin e të gjitha kushteve të përmendura nga Trump.

Situata mes dy vendeve kishte arritur në prag të përshkallëzimit ushtarak, por Trump pretendon se sulmet e planifikuara ndaj Iranit u anuluan pasi negociatat kaluan në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *