Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, subjektet politike duhet të angazhohen në dialog për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e presidentit.

Duke folur për RTK nga Sofja, Haxhiu tha se fillimisht duhet të përmbyllet i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin e votave të diasporës, votave me kusht dhe atyre me asistencë.

“Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, ne duhet të angazhohemi në takime me partitë politike në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit”, deklaroi ajo.

Sipas Haxhiut, përfundimi i procesit të numërimit është prioriteti i parë, ndërsa më pas kërkohet angazhim i përbashkët për të shmangur bllokadat institucionale.

Ajo theksoi se pas mbylljes së procesit zgjedhor duhet të ketë vullnet politik nga të gjitha palët për të garantuar funksionimin normal të institucioneve.

“Nëse do të ketë vullnet prej partive politike, do të gjendet zgjidhje. Kemi dallime në shumë çështje të politikave ditore, por për çështjen e presidentit duhet të ulemi dhe të flasim seriozisht”, u shpreh Haxhiu.

Deklaratat e saj vijnë në kohën kur ende po vazhdon procesi i numërimit të votave, ndërsa pritet certifikimi përfundimtar i rezultateve nga institucionet përgjegjëse.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *