Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të dyshuar për organizimin e barrikadave në veri të vendit gjatë dhjetorit të vitit 2022. Ndërkohë, hetimet ndaj Millan Radoiçiqit dhe 10 personave të tjerë janë pezulluar për shkak se ata vazhdojnë të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë Speciale, të pandehurit me inicialet D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V. akuzohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” si dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit kanë vepruar në periudhën nga 10 deri më 29 dhjetor 2022 në komunat veriore të Kosovës, duke penguar institucionet shtetërore në ushtrimin e autoritetit dhe vendosjen e rendit kushtetues.

Prokuroria thekson se ata kanë bllokuar rrugët kryesore duke përdorur kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera të rënda.

Po ashtu, sipas dosjes së aktakuzës, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm të kundërshtojnë me forcë ndërhyrjen e Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rikthimin e lirisë së lëvizjes në veri të vendit.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale njoftoi se hetimet ndaj Millan Radoiçiqit dhe 10 personave të tjerë janë pezulluar përkohësisht, pasi ata ende nuk janë arritur nga organet e ndjekjes penale.

Rasti lidhet me tensionet e krijuara në veri të Kosovës në fund të vitit 2022, kur barrikadat e ngritura në disa pika kryesore bllokuan qarkullimin dhe sfiduan autoritetin e institucioneve shtetërore.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *