Një operacion i gjerë i Njësisë së Krimeve Kibernetike ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi që synonte qytetarët përmes mesazheve të rreme telefonike të dërguara në emër të institucioneve shtetërore dhe financiare.

Sipas informacioneve nga organet hetimore, të dyshuarit akuzohen se kanë dërguar SMS mashtruese duke u paraqitur në emër të Policisë së Kosovës, bankave komerciale, Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe platformës e-Kosova.

Hetimet tregojnë se përmes këtyre mesazheve, qytetarët janë nxitur të japin të dhënat e kartelave të tyre bankare. Pas sigurimit të këtyre informacioneve, dyshohet se janë kryer transfere të paautorizuara të mjeteve financiare, tërheqje parash dhe blerje online.

Më 4 qershor 2026, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, është zhvilluar një aksion në lagjen Dragodan, ku është arrestuar njëri nga të dyshuarit. Gjatë kontrollit të banesës së tij janë sekuestruar telefona mobilë, kartela SIM, kartela bankare, pajisje teknologjike dhe një automjet.

Pas paraqitjes para gjykatës, ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ndërkohë, më 8 qershor 2026, është arrestuar edhe i dyshuari i dytë në Prizren. Gjatë operacionit janë kryer kontrolle shtesë edhe në Krushë të Madhe, ku janë sekuestruar prova materiale që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

Sipas burimeve hetimore, deri më tani vetëm në rajonin e Prishtinës janë identifikuar mbi 150 raste mashtrimi me dëme të konsiderueshme financiare për qytetarët.

Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe se ekzistojnë dyshime për persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë, për të cilët po ndërmerren veprime për identifikim dhe arrestim.

Personat e përmendur në këtë rast prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *