Një incident është raportuar sot në një qendër votimi në Shtime, ku një qytetar dyshohet se ka dëmtuar fletëvotimin e tij dhe ka tentuar të votojë edhe në emër të bashkëshortes.
Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila ka ndërhyrë menjëherë pas njoftimit dhe ka dalë në vendin e ngjarjes për të trajtuar situatën.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente.
“Rreth orës 12:22 jemi njoftuar nga zyrtarët policorë të angazhuar në një qendër të votimit në një shkollë në Shtime, se një qytetar ka dëmtuar fletëvotimin e tij dhe ka tentuar të votojë edhe në emër të bashkëshortes së tij. Lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit rajonalë, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, ka deklaruar Veseli.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti po trajtohet sipas procedurave ligjore, ndërsa nuk janë dhënë ende detaje shtesë për veprime të mëtejshme.
Hetimet për rastin janë në zhvillim.
KAQPATA


