Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin zgjedhor, duke nënvizuar se vota e secilit ka peshë në përcaktimin e drejtimit të Kosovës.

“Sot është një ditë e rëndësishme për Republikën tonë. Ditë e demokracisë. Zgjedhjet në Kosovë janë festë qytetare; momenti kur secili qytetar, lirshëm e barabartë, vendos për drejtimin e vendit”, shkroi ai.

Kreu i LDK-së bëri të ditur se votën e ka hedhur së bashku me bashkëshorten e tij, Albina Abdixhiku.

“Pak më parë, unë e Albina e ushtruam të drejtën tonë për të votuar”, tha Abdixhiku.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje me qetësi, dinjitet dhe përgjegjësi, duke e konsideruar votën si një instrument të rëndësishëm për të ardhmen e shtetit.

“Votoni me qetësi, me dinjitet e me përgjegjësi. Me përgjegjësi për fatin e vendit tonë”, theksoi ai.

Në fund, Abdixhiku shprehu pritjen për një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve në procesin zgjedhor, duke shtuar se forca e demokracisë varet nga angazhimi i secilit qytetar.

“Demokracia jonë bëhet më e fortë me pjesëmarrjen e secilit”, përfundoi ai.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *