Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e saj të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë sa më masivisht në procesin zgjedhor.
Pas votimit, Osmani theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi të qetë, demokratik dhe të rregullt, duke shprehur shpresën se zgjedhjet do të kontribuojnë në krijimin e institucioneve të reja dhe në tejkalimin e krizës politike në vend.
“Dua t’u uroj të gjithë qytetarëve një proces të rregullt, i cili i kontribuon demokracisë dhe krijimit të institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza. Shpresoj që sa më shumë qytetarë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike”, deklaroi Osmani.
Ajo falënderoi gjithashtu institucionet dhe zyrtarët që janë angazhuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor gjatë ditës së votimit.
Sipas Osmanit, dita e zgjedhjeve është një moment i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, ndërsa shprehu besimin se qytetarët do të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të vendit përmes votës së tyre.
“Shpresoj që sot të jetë dita e Kosovës, dita kur Kosova do të festojë dhe do të fitojë”, tha ajo.
Osmani shtoi se rezultatet e zgjedhjeve do të hapin rrugën për formimin e institucioneve të reja dhe për stabilizimin e situatës politike në vend.
“Jam e bindur se me votën e qytetarëve do të hapet rruga për krijimin e institucioneve dhe që qytetarët ta nxjerrin vendin nga kriza. Pas publikimit të rezultateve, do të kemi arsye ta shohim Kosovën gjithnjë e më lart”, u shpreh ajo.
KAQPATA


