Kosova sot mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor për Kuvendin brenda 16 muajve të fundit, pas krizës politike dhe dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar të gjitha përgatitjet teknike për procesin zgjedhor, ndërsa materialet zgjedhore janë shpërndarë në të gjitha qendrat komunale të numërimit nën masa të shtuara sigurie nga Policia e Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, për këto zgjedhje janë shtypur gjithsej 1,778,300 fletëvotime. Nga to, 1,605,000 janë të destinuara për vendvotimet e rregullta, 19,450 për votimin me kusht, 13,500 fletëvotime rezervë dhe 3,500 për personat me nevoja të veçanta.

Në listën përfundimtare zgjedhore figurojnë 2,092,174 qytetarë me të drejtë vote, ose 15,884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar.

Për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të monitorojnë zhvillimet në të gjithë territorin e Kosovës deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka hartuar planin operacional për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke angazhuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh policorë në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas votimit.

Institucionet kanë bërë thirrje që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të raportojnë çdo parregullsi apo tentativë për manipulim të votës.

Një ditë më parë është zhvilluar edhe votimi në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Kosovës, ku sipas KQZ-së pjesëmarrja ka arritur në 80.85 për qind të votuesve të regjistruar.

Rezultatet e para pritet të publikohen pas mbylljes së vendvotimeve dhe përfundimit të numërimit fillestar të votave.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *