Futbollistët e kombëtares së Iranit kanë marrë vizat për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm disa ditë para ndeshjes së tyre të parë në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në Los Angeles.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, vizat janë lëshuar me vonesë, vetëm 10 ditë para debutimit të Iranit ndaj Zelandës së Re, në një atmosferë të tensionuar politike mes dy vendeve.
Ambasadori amerikan në Turqi, Tom Barrack, konfirmoi se procesi i vizave është përfunduar për pjesën më të madhe të lojtarëve, duke vlerësuar punën e ambasadës amerikane në Ankara për përpunimin e aplikimeve.
Megjithatë, sipas mediave iraniane, disa anëtarë të stafit teknik dhe administrativ ende nuk kanë marrë vizat, duke krijuar pasiguri për organizimin e plotë të delegacionit.
Irani ka zhvendosur bazën e tij përgatitore nga Arizona në Tijuana të Meksikës, për shkak të komplikimeve me vizat dhe shqetësimeve për praninë e ekipit në territorin amerikan.
Në sfondin e tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit, pjesëmarrja e kombëtares iraniane në turneun më të madh të futbollit botëror është kthyer në një çështje me dimensione politike dhe diplomatike.
Irani do të luajë ndeshjet e grupit ndaj Zelandës së Re, Belgjikës dhe Egjiptit, ndërsa autoritetet amerikane kanë theksuar se nuk do të lejojnë hyrjen e personave të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike.
Zyrtarë iranianë kanë deklaruar se pjesëmarrja në Botëror tregon gatishmërinë për paqe dhe përfshirje në ngjarje globale, pavarësisht tensioneve ekzistuese mes Teheranit dhe Uashingtonit.
KAQPATA


