Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pritet të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Costa ka vizituar më parë Bosnjë dhe Hercegovinën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa sot, më 3 qershor, do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të zhvillojë një sërë takimesh me krerët institucionalë dhe politikë të vendit.
Sipas agjendës zyrtare, ai fillimisht do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në orën 11:00, ndërsa më pas në orën 11:40 pritet të zhvillojë takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Gjatë vizitës së tij, Costa do të takohet gjithashtu edhe me përfaqësues të partive politike në Kosovë, në kuadër të diskutimeve mbi zhvillimet aktuale politike dhe procesin e integrimit evropian.
Pas Prishtinës, turneu i tij do të vazhdojë më 4 qershor në Beograd, ndërsa më pas në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në një darkë zyrtare me liderët rajonalë me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së pavarësisë së vendit.
Vizita e presidentit të Këshillit Evropian pritet të përmbyllet me Samitin BE–Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 5 qershor, me fokus në bashkëpunimin rajonal dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
KAQPATA


