Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë nisur hetime pas informacioneve se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, kanë fotografuar ose incizuar votën e tyre gjatë procesit të votimit me postë dhe më pas i kanë publikuar ato në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit zyrtar, institucionet përgjegjëse tashmë kanë identifikuar disa persona që dyshohet se kanë kryer veprime të tilla, ndërsa procesi i verifikimit dhe trajtimit të rasteve të tjera është duke vazhduar.
“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës njoftojnë të gjithë qytetarët se këto veprime do të trajtohen dhe secili do të mbahet përgjegjës për veprimet e tij. Ftojmë qytetarët që gjatë ushtrimit të së drejtës së votës të mos e bëjnë publike votën e tyre në asnjë formë”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të përgatitjeve për procesin zgjedhor, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, së bashku me menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e Votës”, Besim Kusari, kanë zhvilluar një takim koordinues me përfaqësues të lartë të Policisë së Kosovës.
Në takim morën pjesë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, kolonelja Florie Hajra nga Departamenti i Hetimeve dhe drejtori i Departamentit të Rendit Publik, Arbnesh Ajvazi.
Temë kryesore e diskutimit ishte planifikimi dhe koordinimi i veprimeve për garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt, si dhe reagimi i shpejtë ndaj çdo parregullsie apo keqpërdorimi të mundshëm.
Prokuroria bëri të ditur se tashmë janë formuar ekipet kujdestare të prokurorëve dhe zyrtarëve të sistemit prokurorial, të cilët do të monitorojnë procesin dhe do të procedojnë çdo rast të dyshuar.
Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka angazhuar ekipe të posaçme policore që do të kujdesen për sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha fazat e tij.
Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë ritheksuan përkushtimin e tyre për të parandaluar dhe trajtuar çdo formë të keqpërdorimit të votës, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
KAQPATA


