Pas një periudhe të gjatë larg vëmendjes mediatike, Gjesti është rikthyer me një rrëfim prekës në emisionin “Goca dhe Gra”, ku foli për herë të parë publikisht për humbjen tragjike të vëllait të tij.
Në një intervistë emocionale përballë moderatores Ori Nebijaj, artisti tregoi se ngjarja e rëndë ia ka ndryshuar plotësisht jetën dhe mënyrën si e sheh botën.
“Jam i thyer në një mijë pjesë. Po mundohem gjithë kohën të dal prej kësaj gjendjeje dhe me ndihmën e Zotit kam për t’ia dalë. Prej rastit të vëllait unë kam ndryshuar komplet në sjellje e në mendime”, u shpreh ai.
Këngëtari tregoi se pas humbjes së vëllait ka nisur të përballet me ankth, një gjendje që sipas tij vazhdon ende, pavarësisht se para publikut mundohet të shfaqet i buzëqeshur.
“Në publik dal i qeshur, por brenda jam i thyer”, tha Gjesti gjatë rrëfimit.
Ai theksoi se kjo periudhë e vështirë e ka afruar më shumë me besimin në Zot dhe se aty ka gjetur forcën për ta përballuar dhimbjen.
Sipas artistit, familja është motivi kryesor që e shtyn të vazhdojë përpara dhe të punojë çdo ditë.
“Ajo gjendje më ka kthyer në rrugë të Zotit. Qëllimi im kryesor tani është të bëhem një njeri i mirë”, deklaroi ai.
Në fund, Gjesti foli edhe për pengun më të madh që ndjen ndaj vëllait të ndjerë.
“Ndoshta nuk do t’i kisha bërtitur asnjëherë, do të duhej t’ia plotësoja edhe më shumë qejfin”, përfundoi këngëtari mes emocionesh.
KAQPATA


