
E ardhmja e Edon Zhegrovës te Lille mbetet e pasigurt, ndërsa sulmuesi kosovar pritet të largohet nga klubi francez gjatë kësaj vere. Me kontratë që skadon pas një viti dhe refuzimin për ta rinovuar atë, klubi po përgatit shitjen e tij për të shmangur largimin pa përfitime financiare.
Sipas mediumit francez “Le 11”, Lille tashmë ka marrë vendimin që të ndajë rrugët me 26-vjeçarin, veçanërisht pas një sezoni të vështirë për të, ku mungoi për muaj të tërë për shkak të një lëndimi serioz në ijë. Zhegrova nuk ka luajtur që nga 14 dhjetori dhe rikuperimi i ngadaltë ka rritur pasigurinë rreth të ardhmes së tij.
Në përgatitje për sezonin 2025/26, Zhegrova ka filluar stërvitjet individuale, ndërsa Lille tashmë ka nënshkruar me Marius Broholm, një lëvizje që sinjalizon zëvendësimin e tij të mundshëm.
Burime të afërta me klubin raportojnë se interesimi më konkret vjen nga Serie A, me Napolin dhe Atalantën në krye të garës për shërbimet e tij. Gjithashtu, interes ka edhe nga Bundesliga, ku disa klube, përfshirë edhe Leipzigun, e kanë ndjekur zhvillimin e tij prej kohësh.
Zhegrova ka bërë të qartë që në muajin shkurt se nuk do ta rinovojë kontratën me Lille, duke lënë të hapur një dalje të mundshme gjatë afatit kalimtar të verës.
Pjesa e parë e sezonit ishte e shkëlqyer për anësorin ofensiv, ku ai spikati edhe në Ligën e Kampionëve, duke rritur vlerën e tij në treg. Tani mbetet për t’u parë se cili klub do të sigurojë shërbimet e tij për sezonin e ardhshëm.
KAQPATA