Në lidhje me ngjarjen tragjike që tronditi Kanadanë këtë javë, mësohet se gruaja e vrarë në qytetin Brampton ishte me origjinë shqiptare.
Sipas raportimit të KAQPATA, viktima është 29-vjeçarja Silvana Kulla, nënë e katër fëmijëve. Ajo u qëllua për vdekje nga ish-partneri i saj, Anthony Deschepper, të martën pasdite në parkingun e një qendre tregtare në Ontario.
Pas ngjarjes, Deschepper mori vajzën njëvjeçare të çiftit dhe u largua nga vendi i krimit, çka detyroi autoritetet kanadeze të shpallnin një Alarm Amber. Foshnja u gjet pak më vonë e sigurt në rajonin e Niagarës.
Mëngjesin e së mërkurës, autori i dyshuar humbi jetën pas një përplasjeje me policinë në një stacion karburanti në Niagara Falls. Një grua tjetër që ndodhej me të në makinë pritet të përballet me akuza për ndihmë në arratisje.
Rasti është cilësuar si vrasje për shkak të dhunës në familje. Silvana Kulla është viktima e dhjetë e vrasjeve të regjistruara këtë vit në rajonin e Peel-it.
KAQPATA