
Një zbulim arkeologjik mbresëlënës është bërë në zemër të Romës së lashtë. Gjatë gërmimeve në Forumin e Trajanit, arkeologët italianë kanë zbuluar një kokë gjigante prej mermeri, e cila besohet të ketë qëndruar e fshehur nën tokë për shekuj me radhë.
Sipas autoriteteve arkeologjike dhe njoftimit të vetë kryetarit të Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, koka monumentale është gjetur në një shtresë mesjetare të pasur me materiale antike. “Roma nuk pushon kurrë së na surprizuari. Nën këmbët tona jeton një histori mijëravjeçare që vazhdon të na flasë,” deklaroi Gualtieri.
Koka e gjetur përshkruhet si fytyrë mashkullore me flokë të dendur dhe tipare të ashpra, çka tregon se mund të ketë qenë pjesë e një statuje të një figure të rëndësishme, ndoshta perandor apo hyjni.
Arkeologët aktualisht po punojnë për të identifikuar figurën që paraqet kjo vepër e artit, duke e analizuar në detaje për të zbuluar origjinën dhe kontekstin historik të saj.
Zona ku u gjet koka gjigante ishte dikur pjesë e Porticus Trisigmentata, një strukturë me kolona mbresëlënëse që arrinin lartësi deri në 12 metra. Kjo shton më shumë vlerë historike dhe arkitekturore zbulimit të ri, që tashmë po cilësohet si një nga më të rëndësishmit e dekadës në arkeologjinë italiane.
KAQPATA