
NATO Secretary General Jens Stoltenberg and the President of the Republic of Serbia, Aleksandar Vučić
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka dërguar mesazhe të forta për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar nevojën për forcim të ushtrisë së vendit të tij. Në një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Vuçiqi u takua me Sheikun Mohammed bin Zayed dhe kërkoi mbështetje, sidomos në fushën e teknologjisë ushtarake.
Në një deklaratë për media, presidenti serb theksoi se Serbia ndodhet e rrethuar nga NATO dhe se për këtë arsye po ndërmerr hapa për të forcuar kapacitetet e saj ushtarake. “Ne duhet ta forcojmë ushtrinë për të ruajtur paqen, stabilitetin, sovranitetin dhe pavarësinë tonë,” tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia nuk dëshiron të rrezikojë askënd, por do të pengojë çdo tentativë që e konsideron vendin e tij si pre të lehtë në një botë me paqëndrueshmëri të madhe.
Ai njoftoi gjithashtu se në mes të shtatorit në Beograd do të mbahet një paradë e madhe ushtarake, ku do të prezantohen armatimet dhe teknologjitë më të avancuara që Ushtria Serbe ka arritur të sigurojë dhe prodhojë. “Kjo do të jetë një ngjarje që nuk është parë më parë në rajon,” u shpreh Vuçiq.
Gjatë takimit me Sheikun e Emirateve, Vuçiq foli edhe për çështjen e Kosovës, duke përsëritur pretendimet e tij për atë që e përshkroi si dhunë ndaj serbëve në atë rajon, një qëndrim që vazhdon të jetë subjekt i debatit ndërkombëtar.
Ky pozicion i fortë i Vuçiqit vjen në një moment kur tensionet në Ballkanin Perëndimor mbeten të larta dhe komuniteti ndërkombëtar kërkon stabilitet dhe dialog mes palëve.
KAQPATA