Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vendi i tij ka rezerva të mjaftueshme të karburantit deri në fund të vitit, pavarësisht sanksioneve që kanë goditur kompaninë ruse të naftës NIS. Ai ka paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike dhe politike nëse kriza energjetike thellohet.
“Sanksionet ndaj NIS-it janë lajm i keq në çdo aspekt. Do të vazhdojmë bisedimet me partnerët amerikanë, por kemi kërkuar edhe sqarime nga pala ruse”, tha Vuçiq në një konferencë për media, duke shtuar se “Serbia nuk mund të pranojë lehtë modelet e grabitjes së kapitalit dhe pronësisë së huaj”.
Sipas tij, Serbia aktualisht ka 342 mijë ton naftë dizel, 66 mijë ton benzinë dhe rezerva të mazutit për 120 ditë. Ai theksoi se “deri në Vitin e Ri nuk do të ketë mungesë karburanti” dhe se të gjitha depot janë të mbushura.
Vuçiq pranoi se për shkak të sanksioneve, disa kompani ndërkombëtare të transportit ajror kanë refuzuar të mbushin avionët me karburant nga NIS-i. Ai tha se me ndërmjetësimin e kompanisë “Menzes”, çështja është zgjidhur përkohësisht.
Presidenti serb gjithashtu njoftoi se do të formojë një grup pune për të monitoruar situatën energjetike çdo ditë dhe i bëri thirrje Rusisë “të mendojë për pasojat”.
“E dimë se rusët nuk janë fajtorë për sanksionet, por nuk mund të lejojmë që populli ynë të vuajë i pafajshëm”, tha ai.
Në fund, Vuçiq konfirmoi se rezervat e gazit në Serbi dhe Hungari janë të mjaftueshme për muajt e ardhshëm, por theksoi se marrëveshja e re për gazin me Moskën ende nuk është finalizuar.
KAQPATA