
Mandati pesëvjeçar i Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës po afron drejt fundit, por perspektiva për një mandat të dytë duket e paqartë dhe me pak gjasa. Analisti politik Astrit Gashi vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare nuk tregojnë dëshirë për rizgjedhjen e saj, duke e bërë të vështirë që Osmani të qëndrojë në këtë pozicion pas prillit të vitit 2026.
Ngërçi politik në Kuvend ka shtyrë debatin për presidentin në vitin e ardhshëm, ndërkohë që Vjosa Osmani nuk ka dhënë asnjë sinjal të qartë në lidhje me planet e saj për të ardhmen politike.
“Gjasat që Osmani të rizgjidhet janë relativisht të vogla,” tha Gashi për portalin tonë. “Lëvizja Vetëvendosje ka frikë nga një situatë kur opozita — kryesisht LDK dhe PDK — mund ta mbështesin sërish atë, duke e detyruar kështu VV-në të votojë për presidenten aktuale, por ky skenar është shumë i largët.”
Ai theksoi mungesën e dëshirës në partitë kryesore për ta mbajtur Osmanin në post: “Partia më e madhe, Vetëvendosje, nuk ka dëshirë për rizgjedhje, dhe vështirë se do ta mbështesin edhe LDK e PDK.”
Në lidhje me zgjidhjen e ngërçit politik në Kuvend, Gashi nuk pret ndryshime të shpejta: “Pa një konsensus apo kompromis, situata nuk do të ndryshojë në muajt në vijim, përveç ndonjë mrekullie të papritur.”
Vjosa Osmani erdhi në presidencë në vitin 2021 si kandidatë e përbashkët e Vetëvendosjes dhe partnerëve të saj, duke fituar me mbi 50% të votave. Megjithatë, marrëdhëniet me kryeministrin Albin Kurti janë përkeqësuar dukshëm gjatë këtij mandati.
Presidentja ka deklaruar se vendimin për të kandiduar përsëri do ta marrë në fillim të vitit të ardhshëm, duke e kushtëzuar atë me interesin e Kosovës dhe qytetarëve.
“Përgjatë gjithë karrierës sime politike kam punuar duke pasur parasysh vetëm interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj,” tha Osmani në mars 2025. “Nuk kam marrë vendime bazuar në kalkulime personale, por në atë se ku do të jetë Kosova.”
Megjithëse e paqartë nëse do të kandidojë sërish, Osmani ka theksuar se do të vazhdojë të jetë aktive në politikë pas përfundimit të mandatit presidencial.
Në zgjedhjet parlamentare të fundit, Vetëvendosje fitoi shumicën, por pa arritur dy të tretat e nevojshme për të zgjedhur presidentin, duke i hapur rrugë negociatave të vështira për postin e kreut të shtetit.