
Vetëm një nga 25 laurat e planifikuara për vendkalimet hekurudhore është instaluar aktualisht në Bardh të Madh. Sigurimi i këtyre vendkalimeve me laura dhe sinjalizim adekuat është thelbësor për mbrojtjen e qytetarëve dhe për të reduktuar aksidentet tragjike.
Qytetarët kanë shprehur shqetësim për sigurinë në vendkalimet ilegale. Ramiz Shala nga Fshati Qyshk i Pejës tregon se tre persona kanë humbur jetën në vendkalimin e tyre për shkak të mungesës së laurave.
Ekspertët e komunikacionit, si Nol Dedaj, theksojnë nevojën për auditim të plotë të vendkalimeve dhe përmirësim të masave të sigurisë.
Sipas përgjigjes së Infrakos, ekzistojnë vendkalime ilegale, veçanërisht në segmentin Prishtinë–Fushë-Kosovë. Projekti për instalimin e 25 laurave, me vlerë 6 milionë euro, financohet pjesërisht nga Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore. Ky projekt synon të modernizojë vendkalimet hekurudhore dhe të përmirësojë sigurinë e qytetarëve.
Në linjën hekurudhore Fushë-Kosovë–Pejë janë 77 vendkalime legale dhe 3 ilegale, ndërsa në linjën Fushë-Kosovë–Prishtinë ekzistojnë 6 vendkalime legale dhe 4 ilegale.
Infrakos thekson se siguria mbetet prioritet absolut dhe po punohet për zgjerimin e projektit në të gjitha vendkalimet kritike në Kosovë.
KAQPATA