
Një 42-vjeçar shqiptar ka humbur jetën të dielën në Sant’Olcese, Genova, pasi u godit me pistoletë elektroshoku nga karabinierët italianë.
Viktima është identifikuar si Elton Bami, i raportuar nga fqinjët për sjellje agresive. Fillimisht ndërhynë ekipet e ndihmës së shpejtë, të cilat më pas kërkuan ndihmën e forcave të rendit.
Sipas mediave italiane, dy patrulla karabinierësh u përpoqën ta qetësonin duke i kërkuar dokumentet e identifikimit. Por gjatë lëvizjes në shkallë, ai shfaqi sjellje të dhunshme, çka çoi në përdorimin e armës elektroshok tre herë.
Mjeku ligjor Isabella Caristo ka konstatuar shenja të shumta goditjesh elektrike në trup, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun përfundimtar të vdekjes.
Prokuroria e Genovas ka hapur hetim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa dy karabinierët që përdorën elektroshokun po hetohen si të dyshuar.
Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pasi një rast i ngjashëm u shënua në Olbia, ku një 57-vjeçar italian gjithashtu humbi jetën pas përdorimit të elektroshokut nga policia.
KAQPATA