
Gazetari i njohur britanik Vaughan Smith, një prej zërave ndërkombëtarë që dokumentoi krimet e luftës në Kosovë, ka rrëfyer për herë të parë në detaje përvojën e tij të jashtëzakonshme gjatë sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Smith tregoi momentet dramatike kur forcat serbe sulmuan Prekazin, ndërsa ai gjendej atje për të dokumentuar realitetin tragjik të luftës.
“Kur filluam të tërhiqemi, dëgjova një krismë të fortë kallashnikovi drejt nesh. Ndjeva diçka në bark, por nuk ndjeva dhimbje. Ishte momenti kur e kuptova se po raportoja në vijën e parë të frontit, i ekspozuar ndaj rrezikut të vërtetë,” kujton gazetari.
Smith thekson se pavarësisht rrezikut të jetës, nuk hoqi dorë nga profesionizmi. Ai tha se ishte i kënaqur që kishte arritur të incizonte pamje që do t’i tregonin botës se çfarë po ndodhte në Kosovë.
“Ngjarje si në Prekaz nuk kam parë e përjetuar deri tani. Po të mos ishte raportimi ynë, ndoshta bota nuk do të kuptonte kurrë kush ishte Adem Jashari dhe çfarë përfaqësonte ai për popullin shqiptar.”
Gazetari britanik foli edhe për sfidat që kishte në transmetimin e pamjeve në rrjetet ndërkombëtare, për shkak të mungesës së interesit të fillimfilltë nga mediat botërore.
Gjatë intervistës, Smith kujtoi se ekipi i tij filmoi edhe trupat e viktimave në Skenderaj:
“I filmuam kufomat, kishte rreth 60 të vrarë. Më vonë u vërtetua se disa ishin ekzekutuar në mënyrë çnjerëzore.”
Vaughan Smith tha se ndihet me fat që arriti të shpëtonte gjallë:
“Ndoshta edhe Kosova ishte me fat, sepse këto pamje ishin të nevojshme që bota të kuptonte dhe të reagonte. Ato kontribuuan që të vinte liria.”
Smith është themelues i agjencisë së pavarur “Frontline News TV” dhe i “Frontline Club” në Londër, dhe ka mbuluar disa nga konfliktet më të rënda në botë, përfshirë Afganistanin, Irakun dhe Kosovën. “The Guardian” e ka cilësuar atë si një “gazetar aventurier, ish-oficer ushtrie dhe liberal i krahut të djathtë”.
KAQPATA