
Gazetari dhe drejtori i gazetës “Metro”, Valon Syla, është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për ushtrim të dhunës në familje dhe lëndim të lehtë trupor ndaj gruas me të cilën bashkëjetonte.
Burimet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar ndalimin e Sylës, ndërsa Gjykata Themelore ka caktuar seancën për masë sigurie më 30 qershor, në orën 10:00. Prokuroria ka propozuar që Sylës t’i shqiptohet masa e ndalimit të afrimit me personin dhe vendin e caktuar, por nuk ka kërkuar paraburgim.
Kjo ka nxitur reagimin e menjëhershëm të ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka kritikuar ashpër Prokurorinë, duke theksuar se “mjafton të jesh figurë publike për t’u trajtuar ndryshe nga drejtësia”.
“Prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim për dhunuesin Valon Syla, por vetëm ndalim të afrimit. Kjo është e papranueshme dhe inkurajon dhunuesit të vazhdojnë veprimet e tyre”, ka shkruar Haxhiu.
Ndërkohë, gazetari Syla ka qenë i paqasshëm për mediat dhe nuk dihet ende kush është përfaqësuesi i tij ligjor.
Rasti ka nxitur reagime të ndryshme në opinionin publik, duke rikthyer në qendër të debatit trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe standardet e drejtësisë për figurat publike.
KAQPATA