
Rreshteri policor Sami Hoti, i cili ishte suspenduar bashkë me tre kolegë të tjerë për shkak të dyshimeve se kishin bërë shaka me emërimin e Dimal Bashës në krye të Kuvendit, është rikthyer në detyrë.
Avokatja e tij, Arbenita Aliu, njoftoi se të katër policët janë kthyer në shërbim pasi Policia e Kosovës ka vlerësuar se nuk ka pasur shkelje disiplinore nga ana e tyre.
“Rreshteri Sami Hoti, së bashku me tre policët e tjerë, para pak minutash u kthyen në detyrat policore. Policia e Kosovës ka vlerësuar se në rastin e Sami Hotit nuk ka pasur shkelje disiplinore dhe ka vendosur që ta kthejë atë në detyrën ku ka qenë. Ky vendim dëshmon një qasje të matur dhe të drejtë, duke e trajtuar këtë rast me vlerësim profesional dhe kredibilitet institucional”, u shpreh avokatja Aliu.
Ajo shtoi se Hoti ka dëshmuar dinjitet dhe përkushtim qysh nga koha e luftës e deri sot nën uniformën e Policisë së Kosovës, duke marrë pjesë në shumë aksione të rëndësishme. Edhe gjatë periudhës së suspendimit, sipas saj, ai ka treguar qetësi dhe integritet.
“Vendimi për rikthimin në detyrë është dëshmi se drejtësia dhe përgjegjësia institucionale janë vlera që Policia e Kosovës di t’i ruajë dhe respektojë”, theksoi Aliu.
KAQPATA