Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje paqeje në Gaza dhe se kjo mund të finalizohet brenda pak ditësh.
Në një intervistë për “Axios”, Trump tha se i kishte thënë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu: “Ky është shansi yt për fitore, Bibi. Duhet ta pranojë këtë, nuk ka zgjidhje tjetër”.
Ai shtoi se i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff dhe Jared Kushner janë nisur drejt Egjiptit për të finalizuar detajet teknike të lirimit të pengjeve dhe për të diskutuar për marrëveshjen e qëndrueshme të paqes.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka kaluar në fazë mbrojtëse dhe ka ndalur përkohësisht bombardimet në Gaza, pas thirrjes së Trump që të ndalen sulmet dhe të nisin bisedimet me Hamasin.
Netanyahu ka konfirmuar se Izraeli po përgatitet për zbatimin e fazës së parë të “Planit Trump”, i cili parasheh lirimin e menjëhershëm të pengjeve. Negociatat pritet të fillojnë të hënën në Sharm el-Sheikh.
Në rrjetin “Truth Social”, Trump ka paralajmëruar Hamasin të “lëvizë shpejt”, duke shtuar se nuk do të tolerojë vonesa në zbatimin e marrëveshjes.
KAQPATA