Administrata e Donald Trump ka vendosur të kufizojë numrin e refugjatëve që do të pranohen në Shtetet e Bashkuara në vetëm 7,500 persona për vitin e ardhshëm fiskal. Sipas raportimeve të BBC-së, prioritet do t’u jepet refugjatëve afrikano-jugorë të bardhë.
Ky vendim përfaqëson një ulje të madhe krahasuar me kufirin e mëparshëm prej 125,000 refugjatësh që ishte përcaktuar nga ish-presidenti Joe Biden. Në njoftimin zyrtar nuk jepen arsye konkrete për këtë ndryshim, por thuhet se masa është “e justifikuar nga shqetësimet humanitare ose në interesin kombëtar”.
Në janar të këtij viti, Trump kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv që pezulloi përkohësisht Programin e Pranimit të Refugjatëve në SHBA (USRAP), me arsyetimin se duhej rishikuar për të garantuar sigurinë kombëtare dhe publike.
Ky vendim ka ngjallur reagime të përziera në arenën ndërkombëtare, me kritikë që e shohin si politikë diskriminuese dhe mbështetës që e cilësojnë si domosdoshmëri për mbrojtjen e interesave të brendshme të SHBA-së.
KAQPATA