Në ditën e 1,300-të të luftës në Ukrainë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se përfundimi i konfliktit është bërë më i ndërlikuar nga sa kishte parashikuar, duke e cilësuar si arsye kryesore “urrejtjen e pakuptueshme” mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky.
Trump tha se ndoshta do të duhet të ndërhyjë personalisht për të mundësuar një takim mes dy liderëve, pasi “ata e urrejnë aq shumë njëri-tjetrin sa mezi flasin”.
Ndërkohë, presidenti Zelensky njoftoi se ushtria ukrainase ka shënuar përparim në zonat kufitare të rajonit verior të Sumy-t, ku trupat ruse kanë tentuar prej muajsh të krijojnë një pikëmbështetje. Ai shtoi se sipas raportimeve të komandës ushtarake, forcat ruse kanë pësuar humbje të mëdha në Donetsk dhe Kharkiv, përgjatë një vije fronti prej 1,000 kilometrash.
Situata mbetet e tensionuar edhe në jug të Ukrainës. Në rajonin e Zaporizhzhya-s, autoritetet raportuan se trupat ruse kryen 607 sulme në 17 vendbanime, ku një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Në sulme u përdorën 398 dronë, 191 predha artilerie dhe nëntë raketahedhës.
Në të njëjtën kohë, forcat ukrainase goditën me dron një rafineri nafte në qytetin Kirishi të rajonit Leningrad në Rusi. Sipas autoriteteve vendore, tre dronë u rrëzuan, por mbetjet shkaktuan zjarr në objekt, i cili më vonë u vu nën kontroll. Zelensky e quajti këtë sulm një formë efektive “sanksioni” ndaj kapaciteteve ushtarake ruse.
Në rajonin e Dnipropetrovskit, sulme me raketa, dronë dhe artileri goditën distriktet Nikopol dhe Sinelnytsky.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, deklaroi se shkelja e hapësirës ajrore polake nga dronët rusë javën e kaluar ishte një përpjekje e qëllimshme për të testuar reagimin e NATO-s ndaj një përshkallëzimi të kontrolluar, pa hyrë në konflikt të drejtpërdrejtë me Perëndimin.
KAQPATA