
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj tensioneve të fundit mes Izraelit dhe Iranit, duke përdorur një fjalor të ashpër dhe jo të zakonshëm në adresim të dy vendeve.
Para nisjes për në samitin e NATO-s në Hagë, Trump ka kritikuar prishjen e armëpushimit, duke u shprehur i pakënaqur me mënyrën si reagoi Izraeli pas një rakete që u lëshua nga Irani. “Këta djem duhet të qetësohen,” tha ai para gazetarëve, duke komentuar eskalimin e situatës.
Ai e ka përshkruar gjendjen me një deklaratë që bëri bujë:
“Në thelb kemi të bëjmë me dy vende që kanë luftuar aq gjatë dhe aq ashpër, sa nuk dinë çfarë dreqin po bëjnë.”
Trump gjithashtu shprehu pakënaqësinë ndaj Tel Avivit për mosrespektimin e marrëveshjes së shpallur:
“Nuk më pëlqeu fakti që Izraeli reagoi menjëherë pas marrëveshjes që ne shpallëm,” – theksoi ai.
Këto deklarata vijnë në një moment kritik diplomatik, ku SHBA-ja ka ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi mes dy palëve, e cila tashmë është vënë në pikëpyetje pas shpërthimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
Trump, i njohur për retorikën e tij të drejtpërdrejtë dhe shpeshherë provokuese, duket se këtë herë ka zgjedhur të përçojë një mesazh të ashpër, duke vënë në pah frustrimin amerikan ndaj palëve që nuk po respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare për paqe.
KAQPATA