
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se sulmet e fundit ushtarake ndaj tri objekteve bërthamore në Iran kanë qenë një “sukses spektakolar ushtarak”. Në një fjalim të mbajtur nga Shtëpia e Bardhë, ai u shpreh qartë: ose paqe, ose pasoja edhe më të rënda për Iranin.
“Objektet kyçe të pasurimit bërthamor të Iranit janë shkatërruar plotësisht dhe tërësisht”, tha Trump në deklaratën e tij të parë pas sulmeve të ndërmarra nga forcat amerikane.
Duke folur në një ton paralajmërues, ai theksoi se nëse regjimi iranian nuk bën paqe, “sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta për t’u realizuar”.
Trump e quajti Iranin “dhunuesin e Lindjes së Mesme” dhe tha se ai duhet të zgjedhë:
“Ose bën paqe, ose përballet me tragjedi të përmasave të mëdha, shumë më të mëdha sesa çfarë është parë gjatë tetë ditëve të fundit”.
Ai paralajmëroi se SHBA-ja ka ende shumë objektiva të mundshëm për sulm dhe mund t’i godasë ato “me saktësi, shpejtësi dhe aftësi brenda vetëm disa minutash”.
Pas fjalimit, Trump përforcoi mesazhin e tij edhe në rrjetet sociale, duke publikuar një paralajmërim të ashpër për Teheranin, se çdo kundërpërgjigje do të pasohet me “hakmarrje dërrmuese”.
Ndërkohë, CNN raportoi se ende nuk është e qartë se çfarë lloj paqeje kërkon administrata Trump: një marrëveshje të re bërthamore, negociata të reja me Teheranin, apo një dorëzim të plotë dhe pa kushte – siç ishte përfolur më herët.
KAQPATA